Pjesë nga “Vjeshta e Xheladin Beut” – Mitrush Kuteli

…Dhe dalngadalë, kur po e mbulonte botën errësira, Xheladin Beut nisi t’i bëhej përbrenda një dritë e hollë. Ja se ç’pa nëpër këtë dritë:

…pranverë. Kish mugulluar bari, kish çelur dardha. Beu kish dalë në fushë. Jo për gjë, po konakët nuk e nxinin dot. Pranverë, kjo! I vlonte gjaku. Sheqerja e ato të tjerat sëi dukeshin gjë, s’e ngopnin më. Donte gjësend tjetër e s’dinte ç’donte. Dhe kur po bridhte kështu, me dëshira shumë, poqi udhës një çupë fshati, të njomë, sindozot kjo që kish parë sot ne pusi me çikrik. Çupa u mundua të ikte, po beu e arriu. Ajo luftoi me tërë fuqinë që i jepte mosha e re: e shtyu, i shpëtoi nga dora, iku, thirri, po beu e arriu, e goditi me kamxhik, e rrëzoi. Luftoi përsëri, e goditi benë, e kafshoi, e gjalosi. Kjo endezi më fort Xheladin Benë dhe i ra së dyti me kamxhik. Çupa i kish sytë të mëdhenj, të blertë si barishtat e kënetës, dhëmbët të bardhë, të mprehtë. Dhe luftoi përsëri, po gjithnjë më dobët. Luftën e vednosi kamxhiku. Po të mos kish qenë ky, nuk do të kish ndodhur ajo që ndodhi. Po të mos kishte qenë ky, nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Beu ju hodh si ujku deles. Ajo thirri përsëri dhe thirrjen e saj e dëgjuan disa grari që ndodheshin aty pranë, po kush guxonte t’i dilte përpara Xheladin Beut? Çupa nuk lotoi ceçse kur u ngrit që poshtë me linjën të çjerrë, me vjazërinë të humbur. Ndenji kryeunjur nën një pemë dhe atje lotët filluan të pikonin përdhe. Kamxhiku i kish lënë në trup vazhda të përgjakura. Edhe beu e kish kërcen e veshit të ndarë më dysh. E pyeti si i thonë. Ajo e shikoi si ulkonjë dhe nuk ju përgjegj. U ngrit e shkoi çalë-çalë, humbi nëpër lule e blerime. Por beu ja gjeti tragën; i thoshin Marua e Kovit. I ati hiqte nga oftika, në rrogoz, në kasolle. Beu u përpoq ta merrte kopile, në konak, si shumë të tjera. S’desh. U përpoq ta shtinte prapë në dorë; s’mundi. Trimat e beut e rrahën Kovin. Ky lëngoi edhe pak kohë, pastaj vdiq. Beut i ra në vesh se Marua kish mbetur e rëndë. Atëhere i bëri fjalë një bujku që ta merrte grua. Bile i taksi një pendë që e s’di çfarë, po bujku krisi e iku s’di se ku. S’kish dashur të bëhej “baxhanak e ortak” me xheladin Benë, siç bëheshin vezirët e pashallarët me sulltanët e Stambollit. Më tej beu ra pas epshesh e gazesh të tjera, mori grua Xhixhi-hanëmin, që të ngrinte lart e më lart oxhakun, e ja humbi gjurmën Maros syblertë. Kjo ishte, si i thonë një fjale, “fis i shquar”, pa krahë. Lindi një çupë, punoi dhenë, si bujkeshë, pleqëroi e varrosi nënën dhe rrojti e veçuar, e përçmuar, e egërsuar në një cep çifligu. Dalngadalë ju shua bukuria e dikurshme, ju rreshk e rrudhos fytyra, po çupën nuk e braktisi. Dhe ja tani, pas kaqe vjet, i del përsëri përpara. Çupën e ka t’i presësh kokën. I tha se kjo çupë ishte e tija. Dhe beu i zuri besë..Po në e gënjeu? S’ka se si të jetë e bija! “Këto dosa çifçesha gënjejnë si ata derrat çifçinj”

-Më gënjeu! – thirri Xheladin Beu me zë dhe e ngau pelën përpara.

Dhe ç’fjalë të rënda i tha ajo deli-grua! “Y-y-y, murtajë, pusht Stambolii! Matuf! Të marrtë Zoti mendtë! Të lëntë Perëndia pa sy! Ngorç në ndonjë përrua, si qen i zgjebur! Të këndoftë kukuvajka në shtëpi! Të plastë dhjamët e syrit! Të djegshin lugat!” Beu i kujtonte të gjitha mallkimet, s’kish harruar asnjë. Dhe gruaja ju kanos t’ja shtypte kokën, si gjarpërit. E shtyu, e pështyu. – “Si i durove këto të gjitha, o Xheladin be?” – “U ndodha gafil”. – “Gafil, apo pate frikë?” – “Unë…frikë? Unë…” – Hajde, be, hajde…edhe për tët atë të tha fjalë të rënda nga ato që nuk i ngre kandari”.

Kështu jepte e merrte Xheladin Beu. Trimat e dëgjonin e s’bënin zë.

Ish errur natë. Cicërinin bulkthet. Lart, në qiell, ndriçonte kloshka me gjithë zogj. Tërë fusha sikur merrte frymë. Befas çau erën një zë i çjerrë, si zë grifshe. Beu u tremb, po e mori prapë veten: trimat i kish prapa. Tha:

-Do të kthehem ta rrah me kamxhik atë deli-grua. Më gënjeu…I marr të bijën edhe e sjell në konak. Kështu!”

Ment e ktheu pelën, po atë çast i ra një mendje tjetër.

-Këtë punë e kam në dorë. Dërgoj nesër trimat edhe e mbarojnë. Evet, efenm.

Dhe përsëri: të kthehet, të mos kthehet…

-S’kthehem dot, u bë vonë. U lodh pela. Nesër, që menatë, u bëj urdhër trimave e ma sjellin. Këtë punë e mbaron Rizai. Ajo, ime bijë? Jo! Më gënjeu plaka.

Era e mbrëmjes sillte një kundërmim të rëndë: udha shkonte pranë vendit ku gjendej kërma e gomarit të ngordhur. Beut ju duk sikur e kish zënë dikush për gryke dhe e shtrëngonte. “Kërmë, krimba. Kështu do të bëhem edhe unë nesër?” Pastaj doli nga vendi i kundërmimit e ju bë sikur pa Rizanë, kaluar, me çupën përpara, të mbështjellë me një çarçaf të abrdhë. Dhe u gëzua. Do ta bënte të tijën, jo si Maron, përdhe, në fushë, po në jatak. Do ta rrihte, po ta donte puna. Edhe do ta përkëdhelte.

Pastaj të gjitha këto u shembën siç shembet një shtëpi plitharësh që e merr lumi. “Mirë, po cili është Rizaj?” – “Rizaj? Djalë fshati”. – “Djalë fshati, po i kujt?” – “Djali i asaj, si i thonë? Aha, më ra në mend: djali i Xhemiles!” E bukur kish qenë Xhemilja, i bukur ishte dhe Rizai. Djalë pa baba. Jetim? Jo, nuk ishte jetim, po pa baba. Beu e mori në konak, më parë…ndryshe, dylber-hesapi, pastaj qahja, se ay i pari qe mplakur. I ati i Rizait (që s’ish tamam i ati, sepse Xhemilja ja kish sjellë djalin, si i thonë, përpara kalit) kish qenë plak dhe e kish marrë Xhemilen për pleqëri, me gjithë djalë, siç i kish dhënë urdhër beu..

Pastaj mendimi ju çakërdis. I bënë veshët sikur dëgjoi një këgë të vjetër, të harruar:

 

O çun, çun; çun, çun,

Gushën si pëllumb,

Mos ma pi rakinë,

Se të bën zullum…

 

Hëna! Doli hëna! E kuqe, me njërën anë si të ngrënë, po edhe kështu siç ish bënte mjaft dritë. Bahkë me rrezen e parë, që i goditi bishtin e syrit, Xheladin Beut ju duk sikur dëgjoi një zë që tha: “Po kur vjen yt bir kaluar e po të sjell tët bijë për gjerdhek. Vëllai i sjell motrën babait…Hajde-hajde, ku degdise o Xheladin Be! Si qentë e si derrat!”

Kush foli kështu! Asksh. Aty pranë s’kish njeri. Po atëherë kush?

Dëgjoi çape kuajsh që afroheshin. Ktheu kokën dhe njohu kalin e Rizajt. E ju duk sikur Rizai kish përpara një gjë të bardhë: i sillte beut të bijën. Vëllai…motrën “Ta solla baba. Merre time motër, tëtë bijë!”

..Që ku dual këto gala? I prenë udhën, me hijen e tyre të rëndë, pastaj u zhdukën. U zhdukën dje u dukën prapë, përsipër, mbi krye, duke krokëritur. Midis tyre ishte edhe një korb i zi, që e kish vrarë atij mëngjezi, sepse e kish pandehur pëllumb. Ky korb bënte më të madhen e këndonte si njeri:

 

Jarnani, jarnana…

 

Ku ta dish? Korbi ka tre shpirtra e prandaj rron treqind vjet. Rron se ha kërmë. Ngjallet lugat. Jo, ky s’është korb, po lugat!

Xheladin Beut i hypën të dredhura. Aty, mbi udhë, kish ca varre që i kishin mbytur ferrat. Ju duk sikur pa dritë e sikur dëgjoi një zë:

-Hajde, se të presim, o Xheladin Be! Të presim të na vish në tabut floriri, me qefin mëndafshi, ashtu siç të kanë tundur në djep.

Dhe galat, lart, që i printe ai korbi i zi:

-Ga, ga, gaaa…

Jo, s’ishin gala, se natën s’ka gala. Ishin bufë kënete.

Hëna hyri në re. Zotëroi errësira.

Xheladin Beu i nguli mamuzet pelës, ngriti kamxhikun, goditi. Pela u bë furtunë. Në të ikur e sipër beut i ra kamxhiku nga dora. Papritur, ja preu udhën një hie. Xheladin Beu nxori koburen nga brezi dhe e zbrazi. Po vritet hija. Ajo i preu udhën përsëri.

Pela ish mbytur në djersë. Ment pëlciste.

 

 

…Xheladin Beu i Shemshedin Beut të Xheladin Pashës, njeriu i gjakut, i ahengut dhe i frëngjyzës, kish humbur mendjen. Dhe ikte nëpër fushë, natën, në udhë pa udhë, kurse dheu, pemët hijet dhe çdo gjë e gjallë dhe e vdekur këndonin papushim:

 

Jarnana, jarnani…

M’i bëj meze t’i pi raki.

……………………………….

Jarnana, jarnani…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.