Proza poetike nga Martin Camaj

GJARPIJTË

Gjarpijtë u banë gur nën tokë për t’i qindrue dimnit. Shqarthi fle në bigën e shkambit e gjallnon me dhjamë të vet si shumica e njerëzisë që nuk i ngre sytë për të këqyrë si retë e vërshojnë dritën e hanës për të pru terrin mbi ne. Asht koha e pleqnimit më vete.

Edhe i urti rrëmbehet ndjesish apo nga frika? Ai ul kryet e thotë: e di se nuk jam vetëm, parandjenje, shpirti i lezëm si frika! Edhe kur lumi të ngrihet akull nën kambë, na do të qëndrojmë aty te zanafilla. Zemra ma ndien se nuk do të jem nji zog që rrah flatrat vetëm nji verë!

ZOGJTË E MIRË E ZOGJTË E KËQIJ

Natën veshtuen zogjtë në terr si bymohet shtalpi i gjumit nën dhé. Me thoj e sqepa gërmuan në botë deri në dritë e në agim u ngjall pështjellimi i ideve ndër shpirtën kur panë çapojtë e përgjakun në mishin e huej!

Zogjtë e mirë që kishin fjetë u zgjuen dhe e zbuluen kërdinë me tmerrën e frikës në sy: u bindën si nata i kish bartë pezull kah drita pa gjak ndër duer! U gëzuen dhe fjalë ankth mandej drita e madhe ia ndëroi tiungullin në gojë: të pafaj shikuen fytyrat e veta në ujin e kthjellët.

KRYMBI I MËNDAFSHIT

Fijet e bardha të mëndafshit ndahen prej zemrës së krymbit që vdiq vetëm në pallatin mbas malit. Asht koha e korrjeve: edhe ara xhveshet përpara dimnit plak e jo ma nusja përpara djalit të ri!
Asht koha e pleqnimit më vete.

Nuk janë caqet që përcaktojnë kohën, por mosha e njeriut të urtë! Rrënimi fillon me një gjal dy ngjyrash: bardh e zi. Dhe ankohet i urti: askush s’më ndihu të shoh me kohë fillimin e sosjen e fijeve në gjalm e mbeta në hijen e sendeve. Në vjeshtë kundrova besëlidhjen mes jetës e vdekjes prej punëve të parëve të mi që ruenin petkat e mira për mort dhe hynin në nji vorr brez mbas brezi:

Eshtna ndër eshtna ndër shtresa petkash të leshta!

SURRETËNT

Surretënt e qepun me sukuj zhgunash vërejnë kah lindja bardhësinë e agimit dhe i kap tmerra! Fshehin duert ndër arna e ulin mbulesën e kresë deri në sy, fare të turpnuem edhe prej vetes: sa të këqij!

Agimi lind fijesh të gojfilleve mbi karma dhe i zbulon poeti gjasende pa farë randësie as me qenë ato visare të ruejtuna nën hinin e moteve! I urti argëtohet e këndon.

Në vende ma të nalta surretënt zbardhen para dritës, digjen në vetvete e bahen shkrum.
Dielli kullon fjalën prej çdo vështrimi të dyshimtë.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.