Rene Shar – Arti

Në shtratin që më kishin përgatitur kishte: një shtazë të përgjakur e të plagosur, me shtatin e një vazoje, një qyngje plumbi, një shungullimë ere, një guaskë të ngrirë, një fishek të plasur, dy gishtërinjtë dorashke, një njollë vaji, nuk kishte derë burgu, kishte shije hidhërimi, një diamant xhamaxhiu, një flok, një ditë, një karrige të thyer, një krimb mëndafshi, gjë fluturuese, një zinxhir pardesyje, një mizë të gjelbër të zbutur, një degë korali, një thumb këpucari, një rrotë autobusi…

T’i ofrosh kalimthi një gotë ujë kalorësit në pikë të vrapit mbi një hipodrom të pushtuar nga turma nënkupton, nga dy anët, një mungesë të dukshme zgjuarsie. Artin u shpinte shpirtrave që vizitonte këtë thatësirë monumentale.

I paduruari e kuptonte përsosmërish rendin e ëndrrave që do t’i hanin shpirtin tani e tutje trurit të tij, sidomos në fushën e dashurisë ku zelli i grabitqar zbulohej lirshëm përveç orëve të seksit; asimilimit që shpaloset, natës së errët, në serat e puthitura mirë.

Artin kapërcen pa vështirësi namin e një qyteti.

Heshtja e zgjidh gjumin.

Sendet e zgjedhura e të mbledhura si natyra të përpikta janë pjesë e dekorit ku shpështjellon aktet erotike të vazhdave fatale, poema dite e natë. Botët fantastike të nxehta që lëvronin pa pushim në fshat në kohën e të korrave ia bëjnë syrin agresiv e vetminë të padurueshme atij që përdor fuqinë e rrënimit. Për përmbysjet e tmerrshme është megjithatë më e pëlqyeshme të besosh tërësisht tek ato.

Gjendja e përgjumjes që paraprinte Artin sillte elementet e domosdoshëm në projektimin e ndijimeve drithëruese mbi ekranin e rrënojave pluskuese: jorgan flakërues i nxituar në zgafellën e pamatshme të errësirave të lëvizjes së përjetshme.

Artin ruante pavarësisht nga kafshët e ciklonet një freski të pashtershme. Gjatë shëtitjes kjo ishte tejdukshmëria e përkryer.

Me tu shfaqur në mes të depresionit më të fortë mekanizmi i hijeshisë së Artin, shpirtrat kureshtar mbeten shpirtra të furishëm, shpirtrat mospërfillës shpirtra së tepërmi kureshtar.

Dukjet e Artin e kapërcenin kuadrin e këtyre vendeve të gjumit, ku pro e pro gjallërohen nga një egërsi e njëjtë e vrasëse. Ato përparonin në palët e një mëndafshi përvëlues populluar nga pemë me gjethe hiri.

Karroca me kuaj e larë e restauruar e merrte atë thuajse gjithmonë në apartamentin veshur me salpetër kur duhej të mirëpriste gjatë një mbrëmje të pasosur mizërinë e armiqve për vdekje të Artin. Fytyra prej druri ishte veçanërisht e urrejtshme. Gara pafrymë e dy të dashurve në rastësinë e udhëve të mëdha bëhej përnjëherësh një argëtim i mjaftueshëm për të lejuar dramën të çmbështillej, rishtas, në qiell të hapur.

Herë pas here një manovër e plogët bënte të lëshohej në gushën e Artin një kokë që nuk ishte e imja. Kallëpi katana i squfurit harxhohej atëherë me nge, pa tym, prani prej vetiu dhe palëvizshmëri fërgëlluese.

Libri i hapur mbi gjunjët e Artin ishte veçanërisht i lexueshëm ditëve të mugëta. Në intervale të çrregullta heronjtë vinin të mësonin fatkeqësitë që do të derdheshin mbi ta nga e para, rrugët e shumëfishta e tmerruese ku fati i tyre i paqortueshëm do të përfshihej rishtas.

Të shqetësuar vetëm nga Fatalizmi, ata ishin në pjesën më të madhe me fizik të pëlqyeshëm. Zhvendoseshin me plogështi, tregoheshin pak llafazanë. Ata i shprehnin dëshirat e tyre me lëvizjet e lëshuara të kokës tekanjoze. Për më tepër ata dukeshin shpërfillës kryekëput midis tyre.

Poeti vrau modelin e vet.

 

Perktheu: Çlirim Kokonozi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.