Ridvan Dibra – DHJETË HISTORI ANTIPOSTMODERNE

1. Është dimër. Diku dëgjohet një krismë e thatë dhe fill mandej, i vetmi budalla që ka mbetur në qytet, shfaqet krejt lakuriq nëpër rrugët e heshtura, duke ulërirë me të madhe:

“Kanë vrà Zotin! Kanë vrà Zotin!”

Dy policë trupmëdhenj afrohen sakaq, e shembin të krisurin përtokë dhe e rrahin pamëshirshëm mu para syve kureshtarë të kalimtarëve të rastit, të cilët nuk e kanë aspak të qartë shkakun e vërtetë të gjithë asaj dhune mbi një budalla të mjerë: rrihet për fjalët që tha, apo se u shfaq krejt lakuriq? Vetëm një biondinë me sy të jeshiltë, që e ka hedhur shikimin si lak diku nën kërthizën e budallait, i thëret më shumë vetes se të tjerëve:

“Po vrasin një njeri! Po vrasin një njeri!”

2. Ata të dy vendosën të mbillnin lule në shkretëtirën e akullt, duke e braktisur përfundimisht oazin thuajse të shterur. I treti e shpërfilli përfundimisht shkretëtirën e akullt dhe e bindi veten të mbillte lule në oazin thuajse të shterur.

Për çudi, asnjëri prej të treve nuk u kujtua se farat që mbanin prej kohësh me vete, ishin kalbur nga lagëshira dhe vështirë të mbinin edhe në viset më pjellore.

3. Dielli djeg gjithkund nëpër tokën e zhveshur dhe ai e quan veten njeri me fat kur dallon i pari hijen që lëshon monumenti. Nxiton e struket aty, duke shijuar përparësitë e të qënit i vetëm në hije dhe duke mëshiruar të tjerët, që digjen nën diell. Kështu për disa kohë. Porse vjen një çast dhe hija shmanget paksa. Lëviz edhe ai bashkë me hijen. Hija shmanget prapë. Shmanget edhe ai. Kështu disa herë me radhë. Derisa ai e gjen veten në pikën e fillimit. Domethënë aty ku është nisur. E kupton se, në ndjekje të hijes, ka bërë një rrotullim të plotë përqark monumentit. Kështu edhe të nesërmen. Të pasnesërmen… Në të gjitha ditët. Derisa vjen një çast kur ai e bind veten se dita e tij merr kuptim vetëm nga ai rrotullim i plotë përqark monumentit. Edhe në kohë të vrenjtur e me shi. Në ditë pa diell e pa hije. Deri në një çast kur i neveritet vartësia dhe i ka lakmi të tjerët, që rrotullohen vetëm përqark vetes së tyre.

Porse është vonë për të ndryshuar: të gjithë tashmë e njohin si sateliti i monumentit.

4. Ka sajuar një fjalëkryq të mrekullueshëm: elegant e enigmatik deri në çudi. Me dhjetra e qindra specialistë fjalëkryqesh lodhen e djerësijnë mbi të, por pa ia dalë të gjejnë kurrfarë zgjidhjeje.

Sajuesi dinak i fjalëkryqit, më enigmatik (në dukje) se edhe vetë sajesa e tij, struket në qoshe e zgërdhihet: zgjidhjen nuk e di as ai vetë.

Shumë e shumë vite më vonë do të sqarohej se ai fjalëkryq kishte qenë i shtirur, pa kurrnjë zgjidhje.

5. I thanë se gardianët kishin vdekur të gjithë dhe se ai mund të dilte nga burgu pa e mbaruar të plotë dënimin. Ishte një ditë e paqtë pranvere (njëra prej atyre ditëve, kur mund të besoje gjithçka e gjithkënd) dhe dielli ia dilte të ishte i pranishëm edhe në qelinë e ngushtë e të lagësht. Ai u besoi të tjerëve dhe përtueshëm, duke hequr këmbët zvarrë, iu afrua derës. Porse ajo, njëlloj si më parë, vazhdonte të ishte e mbyllur.

Që përtej hekurave të ndryshkur, dikush i tha se gardianët ishin varrosur bashkë me çelësat e qelive.

Ishte një ditë e paqtë pranvere dhe besohej gjithçka e gjithkush.

6. “Jam pa komplekse. Pa as edhe një”, thotë biondina me sy të jeshiltë dhe, e hipur mbi një pod të lartë, e epshme e krenare porsi panterë, zhvishet lakuriq para syve të etur të turmës kureshtare.

Pak më tej, krejt jashtë vëmendjes së turmës, një qen rrugësh rreket të mbulojë me këmbët e pasme të pagërat e veta.

7. Kishte ndodhur jo rrallë që ndonjëri prej vagonëve të mbramë (zakonisht i fundit) të harrohej pa u lidhur dhe treni i muzgut të nisej pa to. Kurse rasti i sotëm, kur lokomotiva qe nisur e vetme, ishte krejt i veçantë.

Edhe pse e kishte ëndërruar e pritur prej kohësh një rast të tillë, mashinisti u ndie i paaftë ta përjetonte lirinë e çastit: ishte thuajse e pamundur të çaje përpara, kur nga pas nuk të ndiqte gjë.

Qoftë edhe një vagon i vetëm.

8. Ndodhi pikërisht ajo që pakkush e kishte parashikuar: në Egobokë filluan të këndojnë të gjithë. Edhe pse të rreckosur e të pangrënë, edhe pse me gjyshër e stërgjyshër bëlbacukë, egobokasit e rinj këndonin gjithë ditën e lume, nga mëngjesi deri në darkë, pa e vrarë mendjen aspak për bezdinë e madhe që u shkaktonin fqinjëve, të cilët, nga ana e tyre, i afroheshin këngës fort rrallë, vetëm në raste festash të shënuara.

Ndërsa turmat e leckosura të këngëtarëve këndonin e zhgërryheshin nëpër baltovinat e pasosura të Egobokës, mungonin thuajse krejt duartrokitjet. Sepse gjithsekush ishte i zënë me këngën e vet.

Vetëm në të rrallë dëgjoheshin ndoca kuatje të vetmuara bretkosash.

9. Beduini i regjur ndër udhëtime, më entuziast e patetik se kurrë, ka mbledhur rreth vetes një turmë beduinësh të rinj (thuajse të papërvojë), të cilëve u flet plot pasion (edhe pse disi të shtirur) rreth shkretëtirës dhe mrekullive të saja: dunave që Zhvendosen Zhurmshëm, Mirazheve që Mashtrojnë Mistershëm, Oazeve që Ofrojnë Orakuj etj. etj.

Diku nga fundi i Rrëfimit, beduinin Rrëfimtar e zë etja dhe kolla. Ashtu mes gulçeve, ai i Troket Tri herë Tryezës dhe, sakaq, një Kamariere Kofshëtrashë sjell një gotë me ujë të kristaltë. Brenda notojnë copa të vogla akulli.

Beduini ynë përqendrohet aq shumë në shuarjen e etjes së tij, saqë nuk e vë re zhgënjimin në sytë e të rinjëve.

10. Një Mi i Murrmë, qimEndritur e topolak, del nga strofulla e vet dhe nis e Endet gjithandej-i Etur për hapsira e përvoja të reja. Teksa Hedh Hapat ngadalë, vigjilencën e Mban të Mprehur në kulm: e kanë porositur me qindra herë t’u ruhet dy armiqve të rrezikshëm: maces dhe kurthit.

Vonë, shumë vonë, kur ai mi qimendritur e topolak ka bredhur gjithandej e ka Provuar Plot Përvoja gjithfarësh (duke iu ruajtur mjeshtërisht dy armiqve të rrezikshëm), bie papritur në një kurth të tretë: i rritet etja për hapsira e përvoja të reja dhe nuk ka më kurrfarë dëshire të ktheheT në strofullën e veT.

Diku, në një qoshe, ndrisin sytë e maces.

Pak më tej, pret një kurth i ngrehur.

janar – mars, 2003

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.