Sharl Bodler – Gratë e dënuara

Shtrirë mbi rërë si kopè e rënë në mendime ngrenë sytë drejt horizonteve detare të ngrysura

Dhe këmbët që kërkojnë, duart e bashkuara kanë lëvizje të ëmbëla dhe rrënqethje të hidhura.

Disa, zemra të dashuruara të mirëbesimeve të gjata, në imshtën e pyjeve me rrëke shushuritëse,

shkojnë duke kujtuar dashuritë e fillestarëve të ndrojtur e duke gdhendur në shpirt pemën e gjelbër të djelmoshave të fuqishëm;

të tjerat, shkojnë ngadalë e rëndë si murgesha përmes shkrepave plot me vegime, ku Shën Antoni

shikon tek rrjedhin, si lava, gjinjtë e zbuluar e purpurorë të atyre grave që dikur ai lakmoi;

e kështu që në vezullitjen e rrëshirave kulluese, në shpellën e nemitur të stërgjyshërve paganë më të hershëm,

të thërrasin t’i shërosh nga zjarmitë e tyre ulëritëse, o Bak, që di si të qetësosh ankimet më antike dhe më brerëse.

O virgjëresha, o demone, o përbindëshe, o martire, shpirtëra të mëdhenj shpërfillës

të realitetit, të etura paskajshëm, besnike apo hore, plot me çaste hareje dhe ankimesh,

o ju, që shpirti im iu ka ndjekur në ferrin tuaj, motra të shkreta,

aq më shumë iu dashuroj sa më shumë që qaj bashkë me ju për dhimbjet tuaja ogurzeza,

për përvëlimet tuaja kurrë të flladitura, për kutitë

me shkrumbin e dashurisë në të cilat grafullojnë zemrat tuaja natë e ditë.

 

Perktheu: Elida Buçpapaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.