Sharl Bodler – Mirësitë e hënës

Ndërkohë që ti ishe duke fjetur, tekanjozja Hënë, qe nga prapa dritares pa shtratin tend e tha: Kjo vogëlushe më pëlqen. Dhe zbriti butësisht shkallët prej resh e, pa bërë zhurmë, kaloi mespërmes xhamave. Pastaj, u shtri mbi trupin tënd me ëmbëlsinë e një nëne e, mbi fytyrën tende hodhi ngjyrën e vellos së saj. E sytë e tu u benë të gjelbër e faqet tepër të zbehta. E, pastaj, ndërkohë që ti ishe duke kundruar plot qejf atë vizitore të çuditshme, ajo t’u ngjit nëpër gushë, ta pushtoi gjoksin fort e sytë e tu, çuditërisht u zmadhuan shumë shoqëruar me një dëshire vajtimi, ndjenjë të cilën ti do ta ruaje përjetë.E, sakaq, e dehur nga lumturia, Hëna kish mbushur gjithë dhomën me një atmosferë fosforeshente si ajo e peshqve që natën lëshojnë drite e, mendueshëm, thoshte: Ti do t’i nënshtrohesh përjetësisht influencës së kësaj puthje. Ti do të jesh e bukur ashtu siç dua unë. Ti do të duash atë që dua unë dhe atë që më mua më do: ujin, retë, heshtjen dhe natën. Detin e pafund ngjyrë gurkali. Ujërat e tij herë të qeta e herë të trazuara. Vendet ku s’do vesh këmbë asnjëherë. Dashnorin që s’do ta njohësh kurrë. Lulet e frikshme. Parfumet që do të bëjnë të luash mendsh. Macet që zvarriten mbi piano e rënkojnë si gra, me zë të ëmbël që del nga gryka. E, ty do të të duan dashnorët e mi, ty do të vijnë rrotull kurtizanët e mi. Ti do jesh mbretëresha e njerëzve me sy të gjelbër. E atyre që u kam zënë frymën me puthjet e mia të natës. Atyre që adhurojnë detin. Detin e pafund, plot zallahi. Atyre që s’dinë ku ndodhen e mes grash që s’i njohin. Mes lulesh të çuditshme që i ngjajë temjanicës së një feje të panjohur. Mes parfumesh që prishin vullnetin dhe kafshësh të egra e epshore, te cilat janë idhujt e çmendurisë së tyre. E, është kjo arsyeja pse moj e mallkuar, vajze e dashur e nazemadhe që, tani, unë jam shtrirë pranë kembkave të tua, duke kërkuar në tërësinë e qenies tënde refleksin e Hyjnisë së dyshimtë, asaj, të rraskapiturës nunë, të fatthënës ndrikull, mëndeshës helmdhënse të gjithë lunatikëve

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.