Shtëpiak në stinën e rrufës – Jules RENARD

Shtëpiak në stinën e rrufës, me qafën prej xhirafe të futur përbrenda, kërmilli fundon si një hundë e zezë. 
Ai shëtit qysh në ditët e bukura, por di të ecë veç mbi gjuhë. 
Shoku im i vogël Abel luante me kërmijtë e tij. 
Ai i mban dhe i rrit në një kuti, përkujdeset që, për t’i njohur, t’i numërtojë me laps mbi guaskë. 
Kur është thatësirë, kërmijtë flejnë në kuti. 
…Teksa bisedoja me të për mundimin që sjell stërvitja e tyre, vura re se ai më bënte shenjë që jo, edhe kur më përgjigjej po. 
– Abel, – i them, – përse koka jote lëviz ashtu, sa majtas, djathtas? 
– Është sheqeri im, – thotë Abeli. 
– Çfarë sheqeri? 
– Ja, shiko. 
Ndërsa këmba-doras ai sillte numrin tetë, që gati sa s’po humbte, unë pashë në qafën e Abelit, midis lëkurës dhe këmishës, një copë sheqeri që varej në një fill, si të ishte medalion. 
-Nëna ma lidh, – thotë ai, – ma lidh kur do të më ndëshkojë. 
– Të bezdis? 
– Më kruan. 
– Edhe të djeg, ë, të është bërë lëkura flakë e kuqe. 
– Por kur nëna më fal, – thotë Abeli, – sheqerin unë e ha. 

*** 
Maçoku im nuk i ha minjtë, nuk i pëlqejnë. 
Kap ndonjë mi vetëm për të luajtur me të. Si luan mirë e mirë, ia fal jetën dhe shkon gjetiu për të humbur nëpër ëndërritje, i pafajshëm, i ulur mbi bishtin e tij të butë, me kokën e padepërtueshme si një grusht. 
Por për shkak të kthetrave, miu ngordh. 
I thonë: “Kap minjtë dhe lëri rehat zogjtë!” 
Kjo është diçka shumë e gjetur, mirëpo edhe maçoku më shijehollë nganjëherë gabon. 

*** 
-Ç’ka? Ç’ka? Ç’ka? 
-Asgjë. 
Korbat fluturojnë nën një qiell blu e të lëmuar. 
Papritmas njëri prej tyre, pikërisht ai që është në krye, ngadalëson dhe ravijëzon një rreth të madh. Të tjerët i venë pas. 
Duket sikur heqin një valle nga mërzia e rrugës dhe bëjnë hire me krahët e tendosur, si kindat e një fundi. 
…Një korb 
po ndillte kob qëparë për një zog. 
Mora pushkën dhe e vrava korbin. 
Kish patur të drejtë korbi. 

*** 
Papagalli. Jo keq! Madje, kishte edhe ndonjë meritë në kohën kur kafshët nuk flisnin, por sot të gjitha kafshët kanë talent. 

Përktheu Alket Çani 

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.