Stina e Shirave – Zh. Lë Klezio

Dielli ngjitet lart në qiell, ndjek udhën e vet dhe bie mbi kodrinat që duken sikur e shuajnë. Gabi e ndien rrugën e tij me anë të lëvizjes së fytyrës. Ajo ndien zhurmat e qytetit, trenat, automobilat, ndonjë avion që gris qiellin. Eshtë shumë larg rruga e “Pesëmbëdhjetë Kantoneve”, pellgu në Vakaos. Të gjitha i duken si një tjetër jetë, të cilën Gabi e ndien se po i afrohet.

Ajo ka dëshirë të dëgjojë përsëri zhurmën e shiut, rrahjen e këndshme të pikave të shiut mbi catinë prej llamarine, gurgullimën e ullukëve, muzikën e rrëkezave që derdhen mbi tokë e shkojnë drejt pellgut të madh për ta ngjyrosur me të kuqe. Ajo e dinte shumë kohë më përpara se kur do të niste shiu në Vakao. Gjithcka ngrysej, sikur e gjithë toka dhe fusha me kallama deri rrëzë maleve mbështillej me një vello të errët. Trupin ia pushtonte një drithërimë, një e ftohtë, brenda ndiente një si boshllëk.

Nuk do të kishte dashur kurrë të besonte se një ditë prej ditësh ajo do të ëndërronte për to, për këtë shi që bie nga qielli si një qenie e gjallë, që shket mbi catitë, shkul gjethet e pemëve, rreh xhamat e shtëpive të vjetra prej druri. Sa herë ndodhte kështu, asaj i dukej sikur ndiente aromën e nënës, të cilën nuk e njohu kurrë; sikur të ishte përzier me aromën e tokës dhe gjetheve të kalbëzuara, me aromën e gojave dhe mangove, me aromën e vrazhdtë të papajës mbi tryezën e kuzhinës, me parfumin dehës të dashurisë së natës.

 

Përktheu: Gavrosh Haxhihyseni

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.