Studenti në shtëpi – Migjeni

– A t’u mbush mendja me ardhë, – i tha i ati kur e pa. Nushi u mallëngjye pak me të pamun t’anë dhe donte këtë dhe ta diftojë, por i ati vetëm i shtrini dorën, të cilën Nushi e shtrëngoi pa ditë me u përgjegjë në pyetje. Kur u rrok me motra, këto si me u mendue a ta puthin apo jo. Vetëm puthja e s’amës ishte e kjartë dhe oshtini nëpër shtëpi.

– Mamë, – tue kuvendue një mbramje me Nushin thirri Agia, motra e fejueme, dhe shpejtoi tek e ama në dhomë të zjarrmit. Mamë! Nushi thotë se edhe vajzat sa unë, edhe të martueme bile, shkojnë në shkollë. Ha- ha- ha! U përplas qeshja e vajzës në ftyrë të s’amës.

– Mos u qesh ashtu moj bijë, se po të ndijnë kojshijtë… asht marre. Vajza nuk përgjegji, por, e zanun me tregimet e vllaut, mendonte ato vende të çuditshme, ku vajzat nuk lidhen për shtëpi, ku dalin me djelm me shëtitë pa farë turpi, ku kërcejnë…ah! Kërcejnë aq bukur.

Vllau muer motrën dhe filloi t’i kallzojë do rregulla, por ashtu në grykë të shoqi-shoqit dhe tue kërcye, i gjeti i ati.

– S’ke marre! Nesër do të martohesh!… Edhe ti, – tue iu sjell Nushit, – s’je i vogël. Shyqyr që paske ardhë sonte herët! – i tha i ati vranët.

Nushi nuk dinte ç’ka me thanë. Nuk dinte me folë me t’anë. Kur ishte fëmi, e kuptonte shumë ma mirë. Por kaloi ajo kohë, kur në imagjinatën e tij baba ishte diçka më tepër se babë, ishte një ideal, ideal i andrrimeve fëminore. E sot, e din Nushi, se baba i tij asht një prej qindra – në mos mija- etnish të qytetit tonë, njeni prej atyne etënve që nga fmia i vet duhet me bamë një njeri anakronik, pikturën e vet, trashëgimtarin e dej të një të kaluese të zymtë.

E Nushi ndigjon. Don me qenë djal i mirë. Si mos me ndigjue babën i cili e lindi, e rriti, e bani aq. Pale mos dëgjo. Megjithëse kundra ndërgjegjes së vet, Nushi ndigjon. Nga fjalët e t’et i shtrembnohet fytyra, por me ndëgjue- ndigjon. Ndëgjojnë edhe vllaznit e motrat, të cilat kanë ndejun përreth dhe të gjithë janë bamë vesh. Pale mos ndëgjo. Ndëgjon edhe nana në dhomë të zjarrmit fjalët e burrit të vet dhe me një frigë çuditet për ditunin e madhe të bashkëshortit. Tanë një familje, e mbyllun brenda mureve të shtëpis dhe brenda një ambienti patriarkal, përgatitet për jetën qytetare të nesërme. “Mos të më korisin, – mendon kryetari i familjes, tue i shikue me rend të gjith pjestarët. Mos të më korisin, prandaj shtrëngo frenat, shtrëngo sa të mundesh, e nse nuk mund të marrin frymë – të pëlcasin. Sa vështirë asht me rritë fëmi në kohë të soçme! Sa vështirë është me ruejtë varzat! Eh kohët e kalueme! – Por a e dini ju, morë fëmi, se unë njaq sa ju ishe, kur fillova me fitue bukën…

Nushi ndigjon. Të gjithë ndigjojnë. Pale mos ndëgjo! Nushi ndëgjon dhe mendon. Ndoshta jeta e ka bamë kët njeri kaq të rreptë.

Një buzëmbramje Nushin na e kish zanë nostalgjia për viset e largëta, për qytetin e studimeve të tij. Ai e don kët votër, më mirë me thanë këto gjind rreth votrës: prindit, motrat e vllaznit, por diçka si ma e fortë e lidh për ato vise. Ato vise ku jeta impulsive të lejon ta shijosh dhe si i ri dhe si plak, si filozof ose si njeri i thjeshtë. Nushi vëren kontrastin e tmerrshëm në mes të vendit të vet dhe t’atyne viseve. Dhe si i ri që asht, ndjenjat e tij mnjanojnë për mrekullinat e largëta, e në mendime gjurmon shkaqet pse vendi i tij asht aq mbrapa. Dhe njato shkaqe, me gjithë zjarrin e rinisë, i urren. Urren të kaluemen që asht aq e afërme, si baba i tij. Baba asht i afërm, si babë, por i largët si përfaqësues i shoqnisë, si person. E gjith mosmarrëveshja, të gjitha moskuptimet vijnë ngase të gjith kemi nëpër shtëpia, nëpër votra, ka një ose ma tepër të këtillë të dashtun dhe t’urrejtun përnjëherësh. Nushi e din që dhe baba i tij s’ka faj se asht i tillë; rrethanat dhe shoqnia e krijuen. Prandaj dhe ka mbetun dashuria birnore në Nushin, pse din të arsyetojë. Por vllaznit e tij, motrat, a thue do ta dojnë babën? Kujtohet se kur ishte fëmi, kundrejt babës ma parë ndiente frigë se dashuni. E tash motrat dridhen para babës, e vllaznit nuk e kanë aspak në qejf shoqnin e babës: kur vjen baba ata zhduken.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.