Suad Arilla – Vajza që kalon muret

Ndarësja e dhomave, prej tulle a prej gipsi qoftë, ishte bërë si një shoshë me vrima të imëta, përtej së cilës zhurmat kalonin pa u filtruar fare. Çdo zhurmë vinte e athët, me një timbër disi të mbytur, por gjithçka ishte e qartë dhe nuk humbej mes valëve të ajrit. Ata që vinin më fort, të jepnin ndjesinë e një thupre që shik pulpat; ishin zhurma djegëse. Zërat e njerëzve nuk të bënin shumë përshtypje pas njëfarë kohe. Ata vinin si gjëmime të shurdhëta dhe shuheshin shpejt. Gjërat që i shtoheshin hera herës këtyre zërave, ishin zhurmat e rrëzimeve, shqyerja e rrobave, përplasje trupash apo gjymtyrësh, thyerja e ndonjë sendi prej qelqi ose druri, përplasja e karrigeve për tokë a për mur. Të gjitha këto, rast pas rasti, ndryshonin. I pandryshueshëm ishte avazi i përnatshëm.

Marieta e vogël ishte dëshmitare e heshtur e këtyre ndodhive. Në të shumtën e rasteve, me orë të tëra kruspullosej dhe mbërthehej, duke i lënë zhurmat t’i hynin dhe dilnin nëpër trupin e saj. Mbështeste ballin mbi gjunj, mendjen e kishte të turbullt dhe vetëm priste momentin që ato zhurma të ndaleshin. Herë mendimet e saj ishin të hirta dhe ndër to fluturonin ca pilivesa sydalë. Herë tjera kishin ngjyrë luleshtrydheje, një e kuqe vende – vende e bërë pis, por që i ndillte një gazmim të habitshëm përbrenda.

Sikur nuk e ndjente më frikën e mëparshme. I mjaftonte të mbulohej me batanijen e saj me toptha rozë, shtrëngonte kukullën dhe ndjente një mbrojtje magjike. Edhe zhurmat nuk e infektonin. Ndonëse e kalonin murin, atë mbrojtje s’mund ta thyenin dot. Por edhe nëse e depërtonin, Marieta tashmë nuk prekej aq kollaj nga ato zhurma. Jo më si dikur. Me kohën, mbrojtja dhe indiferenca e saj ishin bërë një zhguall i pashpueshëm. Një palimpsest i ngrirë dhe i koracuar, copëza ëndrrash dhe realiteti përzier me disa elemente magjike dëshirash apo ndjesish, e mbronin vajzën e vogël nga çdo përpjekje për t’ia prekur lëkurën.

Marieta i ndjente përplasjet në mur dhe e afroi dorën. E ciku murin me gishtin tregues. Ajo që ndodhi ishte e paimagjinueshme. Një valë dallgëzimi u përhap sikur prekja e saj të ishte një gur që bie në ujin e qetë. Edhe zhurmat, edhe ajri, edhe zërat, edhe ndjenjat, edhe koha u ndalën. Diçka e thirri përtej atij murit Marietën. E depërtoi njëlloj si të futej në vaskë dhe nga ana tjetër prindërit e saj, me fytyra të çapërlyera, me një ngadalësi të pakuptueshme po sulmonin njëri tjetrin. Ata nuk e panë. Marieta ishte e padukshme. Ua mori sendet nga dola dhe i shtyu përtokë. I mbuloi me nga një batanije dhe u kthye në shtratin e vet. Përtej murit.

I mbylli sytë fort dhe kur i hapi për së dyti, një qetësi hyjnore e shpoi. Disa njerëz të çuditshëm në forma hijesh, po i rrinin mbi kokë.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.