Tarkan Bashllari – Viruse dhe paradokse

Sa paradoksalë paskemi qenë ne dykëmbëshat, dhe s’e paskemi ditur!

Mburremi me madhështinë e botës tonë, të species tonë, por ndërkohë shikoje kush po na gjunjëzon, kush po na sakatos, kush po na lë pa frymë… Një gjë e vogël që syri s’e sheh dot, që mendja s’e percepton dot; një gjë që as të lajmëron, as të jep ndonjë farë ideje kur hyn në trupin tënd pa i rënë ziles. Një virus që të rikrijon në trup gjithçka që ti i bën planetit.

Çfarë paradoksesh…

Njerëzimi krijoi internetin, telefonat celularë, anijet kozmike; ndërtoi ura pafundësisht të gjata, stadiume mahnitëse, gradaçela që çjerrin qiellin si macet, e për çfarë? Për të mbërritur në një pikë ku nuk di a do të ketë të nesërme apo jo? Për të mbërritur në një pikë ku nëpër dyqane nuk ka më letra higjenike sepse i kanë marrë të gjitha nga paniku se mos ndoshta vjen fundi i botës? Për të mbërritur në një pikë ku do t’i duhet të jetojë në stilin komunist për të ndenjur gjallë derisa e keqja të largohet?

Njerëzimi, sa ishin të gjitha gjërat krejt normale, mundohej të mos e luante plotësisht lojën sipas rregullave të udhëheqësve – Do arsim? Paguaj! Do shëndet? Paguaj! Do bukë? Paguaj! Do ujë? Paguaj! Apo mos vallë këta udhëheqësit tani po e kuptojnë budallallëkun e sistemit që e krijuan vetë? Vërtet u desh një pandemi botërore që t’i vinit gishtin kokës? Vërtet u desh të vdisnin me mijëra njerëz dhe të paralizohej qytetërimi njerëzor, që ju të kuptonit dhe të reflektonit mbi mëkatet që i keni bërë këtij planeti? O budallenj njerëz! Keni në dorë planetin më të bukur që ekziston në Gjithësi! Keni në dorë të vetmin planet që ka privilegjin ekskluziv të të mbështeturit të asaj që ne e quajmë “jetë”! Dhe deri më sot as që e keni vlerësuar fare! E pse? Ngaqë ishit të zënë? Po sigurisht! Normale që ishit të zënë. Ishit të zënë duke ndërtuar zonën tuaj të komfortit, t’ju zinin të pasmet rehat. Ishit të zënë duke hedhur para në kosh të plehrave për fustanin apo rrobën më në “modë”, telefonin apo makinën më të fundit vetëm që të ndiheshit… të plotësuar. Kishit harruar ç’do të thoshte “shtëpi”, “familje”, “natyrë”, “botë”, “pastërti”, “higjenë”, “arsim”, “shëndet”. Të vetmet gjëra që dinit ishin “para”, “rehatllëk”, “pasuri”, “ar”, “makina”, “vila”, “femra”, “qejf”, “punë”, “luftë”. Këto dinit ju dhe asgjë më tepër.  Pikërisht kjo ju duhej? Kjo ju duhej që të vlerësonit Tokën? Një pandemi?

Po ju që dashkeni t’i bëni tani në kohërat anormale gjërat që përtonit t’i bënit në kohërat normale? Çfarë dreqin keni? Gjyshërit tuaj thirreshin për të marrë pushkën e për të dalë në front të betejës; për të fituar luftën e për të ndenjur gjallë, duke marrë parasysh gjithçka, edhe plumbat e armikut, edhe proçkat e tij! Kurse ju po thirreni për të ndenjur në shtëpi dhe për të luajtur dembelin! Ç’dreqin ju gjeti të thyeni karantinën? Apo jeni përfshirë dhe ju në ndofarë paradoksi?

Ja dhe një tjetër paradoks… Njëri e theu karantinën sepse ndihej i mërzitur pa dalë nga shtëpia dhe aty i zuri pritë armiku dhe e kapi me presh në dorë. E ku është tani? Gati për të rënë dëshmor; me një gjë të gjatë që i hyn në gojë e i del në mushkëri, një tullumbace që më e shumta të lë të shikosh vetëm murin përballë, një katetër për lëngun e hollë dhe një enë (me fat) për inertet e trasha. E ka 15 ditë ashtu. E pse? Sepse i dukej shumë diktatoreske të rrinte 15 ditë në shtëpi. I dukej vetja si i arrestuar për trafik droge po të rrinte 15 ditë në zonën e tij të komfortit e të luante dembelin siç e luante ngaherë. Diku tutje po futej në morg kufoma e një xha Suloje që e theu karantinën sikur ky, sepse ndihej kapedan sikur edhe ky. Një arkivol druri futej në morg. E futën aty xha Sulon, e vulosën dhe e çuan diku nga ku s’merret vesh dëshmorin plak që kujtonte se armiku i tanishëm luftohej me pushkë e kobure si në kohën e tij. Dhe madje pa flamur. S’i vunë flamur se kishin frikë mos armiku u infektonte flamurin. E kështu binin lançistët një nga një; Zyloja, baba Qemoja… dhe ky njëri që e theu nuk e shihte dot sepse nuk e linte tullumbacja. Nuk i shihte dot brezat që po binin dëshmorë pa flamur.

Dhe më i madhi paradoks nga të tërë…

Tërë ata mjekë që punonin me dy e me tre turne që të të shëronin… Tërë ata policë që rrinin ditë e natë në krye të detyrës që ti të ndiheshe i qetë, i sigurt, mos të flije me makthe natën, mos të zgjoheshe pa gjumë e të të vinte për gjumë ditën ngaqë s’të linin makthet që pe natën… Tërë ata mësues që sakrifikonin trutë dhe shpirtrat e tyre, që ti të kishe dy para tru në kokë… Tërë ata pastrues që pranonin të punonin pa asnjë kusht e pa asnjë qindarkë, mjaft që ti të mos shkelje në jashtëqitje bagëtish e tyrli njerëzish… Dhe ti talleshe me ta. Talleshe sepse nuk doje të të cënohej rehatia e qejfi. Kurse tani i dashke. Tani i vlerësoke. Tani e kuptoke vlerën e punës që ata bënin dhe ende e bëjnë për ty e për të tjerët rreth teje. Çfarë paradoksi… Ç’qenie paradoksale paske qenë! Ç’u paska dashur vërtet që të kuptoje sa paradoksal je…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.