“Të parët tanë”, një manual për të tashmen (dhe të ardhmen).

te paret tane arratisje.al

Duke nisur nga sot, do mundohem të krijoj një profil nëpërmjet komentimit të disa veprave të lexuara së fundmi. Baza mbi këto komente do jetë totalisht subjektive: pra, nisem vetëm nga përshtypjet e mija, pritshmëritë mbi veprën. Për këtë do doja që të jemi dakort, duke mos më vlerësuar si një kritik letrar që bën një “kritikë” mbi vepra të caktuara, por një person, lexues, që merr angazhimin të lehtësojë, dhe mbi të gjitha të nxisë, leximin dhe arritjen e disa veprave që, sipas meje, duhen lexuar.

Libri i parë me të cilin po ia nis është trilogjia e Italo Calvino “Të parët tanë”, e cila në brendësi mban 3 romane: “Viskonti i përgjysmuar”, “Baroni rebel” dhe “Kalorësi i paqënë”.

Kishte kohë që interesi im rritej për të lexuar një vepër nga Calvino dhe kjo ishte vepra e tij e parë e lexuar prej meje. Më duhet ta pranoj që më bëri përshtypje shumë fabula e secilit roman; dhe në veçanti stili i tij aq i thjeshtë dhe i kuptueshëm (që për të thënë të vërtetën nuk hyn aq shumë në preferencat e mija).

I sjellë në shqip nga Botimet Dudaj, me përkthim të Adrian Beshaj, kjo trilogji, siç e thotë edhe sqarimi i autorit rreth librit në fund, është nj “trilogji përvojash mbi mënyrën e realizimit të qenieve njerëzore”. Por ajo që mua më së shumti më bëri përshtypje dhe që dua ta lidh me titullin e këtij shkrimi, është se këto histori që artistikisht përfaqësojnë ngjarje që na vijnë nga e shkuara, janë fort të lidhura me të tashmen tonë. Madje janë një manual që jo vetëm na rrëfen mundësitë tona në një realitet kaotik, por edhe na merr përdore drejt zbulimit të mungesave tona, ose më saktë pranimit të mungesave tona.

Tek “Viskonti i përgjysmuar” gjejmë njeriun që i ndarë në dysh, jo vetëm pjesësa e tij mbizotëruese do mundohet të luftojë të tjerët, por edhe të mohojë vetveten, pjesëzën tjetër. Tek “Baroni rebel” kemi vendimet e jetës sonë që merren në një moment të caktuar dhe ngulmimi krenar për të mos ndryshuar deri në vdekje. Tek “Kalorësi i paqënë” gjejmë njeriun që e rrënuar përbrenda dhe jeton vetëm për atë që përfaqëson së jashtmi, rron për të tjerët.

Të gjitha këto në vija të trasha; duke mos i hyrë një analize kritike librit, por edhe duke jua sugjeruar dhe nxitur për t’i shkuar më tej këtij autori.

Tani, pa më thoni, cili nga ju nuk e gjen veten, kohë pas kohe, të ndarë më dysh duke mohuar edhe vetveten; peng i vendimeve të marra në një moment dobësie; duke luftuar për sy e faqe? Përgjigjet merrini me vete.

A nuk është e tashmja, në fund të fundit – ndoshta edhe vetë e ardhmja – një hapësirë e pazbuluar, ku në të shumtën e rasteve ne kushtëzohemi nga e shkuara jonë, gabime tona apo edhe të njerëzve që na përfaqësojnë?

Në fund po e mbyll me këtë citim nga “Viskonti i përgjysmuar”: “…kjo është e mira e të qënurit i përgjysmuar: kupton tek çdo njeri dhe çdo send në botë dhimbjen që secili ka për paplotësinë e vet”

 

 

 

Porositeni librin ketu:  https://www.facebook.com/Arratisje/inbox/

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.