Të përjetësohesh në një kujtim… Kritikë novelës “Më blij një kujtim”…

Gjithçka rreth asgjësë një libër me dy novela dhe një prolog të titulluar me të njëjtin titull! Prologu nis si një kamxhik për shpirtin duke na dhënë mësime se jemi të palumtur se bëjmë pyetjet e gabuara dhe pyesim për gjërat e gabuara, e vërtetë në fakt, aq e vërtetë është se shpesh jemi dështakë dhe tentojmë të tërheqim me vete këdo që mundemi sepse siç pohon autorja: “Është e vështirë të mbijetosh në dështimin tënd vetëm”!

Mbi prologun mund të ndërtohej fare lehtë një roman i ri, sepse flet për frikërat e çdo njeriu që kërkon të jetë njeri së pari, dhe njeri i rëndësishëm dhe me vlera së dyti, prologu na rrëfen që njerëzit janë të shtirur, janë hipokritë, shpesh as nuk ndiejnë, kanë humbur ndjenjën e empatisë, ndjenjën për të dashur, për të adhuruar dhe kënaqen me thashatheme ose shprehje të gatshme klishe, autorja rrëfen që vdekja është e vërtetë, dhimbja poashtu, ajo rrëfen që me ikjen e njerëzve tonë të dashur ikën edhe shpresa për të ëndërruar, diçka që asnjë i gjallë nuk mundet të na dhurojë asnjë grimcë!

Droja, frika, por edhe guximi për tu ngritur, për të qëndruar e fortë edhe kur shpresa për të ëndërruar nuk është më, e bëjnë shkrimtaren të sjellë në novelën e parë të trajtuar në këtë kritikë një rrëfim që ashtu si jeta në periudhën e e parë fluturon, duket sikur novela e parë “Më blij një kujtim” ka kopjuar fazat e jetës, pra pjesët e fillimit që fluturojnë, ikin pa kuptuar, më pas një pjesë më e ngadaltë, më e ngecur në kohë me ecje para e prapakthime dhe deri në mbyllje!

Novela ka një përqasje brilante që gërsheton ekzistencializmin dhe absurdin gjithë kohës, reminishencat e Kamysë dhe Kafkës ndihen që në fjalinë e parë hapëse të novelës, ku omnishenti rrëfimtari i gjithdijshëm na paraqet me një personazh që kërkon të gjejë kohën e përshtatshme për tu vetëvrarë, sigurisht edhe emri i tij vetëm me iniciale F.K do na çonte sërish te Kafka, metodë e njohur për të, ku personazhi kryesor i romanit të tij “Kështjella” quhet K., por edhe emri i qytetit ku jeton F.K është absurd Khalan, duket se nuk është zgjedhur ratësisht pas këtij emri ka një histori, por nuk kemi arritur në gjurmët e duhura për ta deshifruar saktësisht!

Po ti bëjmë një analizë titullit në pamje të parë nuk do kishte kuptim, në të dytën do ishte një kundërshti kontekstuale, dhe në të tretën do të formësohej në realitet, ne nuk kemi lidhje me kujtimet, ne nuk i ndërtojmë ato, ne nuk i vlerësojmë ato, ne nuk rendim pas tyre për ti krijuar por dalim në treg për ti blerë, por ka njerëz të cilëve nuk u blen dot asgjë, sepse aq të kanë dhuruar gjatë gjithë ekzistencës së tyre, kaq i kishte mbetur F.K kujtim nga i ati!

Novela ka një rrëfimtar të gjithdijshëm që rrëfen gjithçka për personazhin e quajtur F.K, duke nisur që nga fëmijëria, rritja, dashuria për matematikën, kujtimet e tij, mënyra e marrjes së vendimeve dhe gjithçka duke depërtuar në psikologjinë e personazhit sit a kishte ndërtuar vetë, dhe në fakt omnishenti e quan fëmijë F.K, dhe personazhi është ndërtuar prej omnishentit ndaj lidhja është e shenjtë, një lidhje e shenjtë mes një njeriu dhe matematikës, aq sa e çuditshme por që mbetet gjatë në memorie!

Personazhi ynë është 33 vjeç, ka një zyrë kontabiliteti, dhe vuan nga një sëmundje e nga e cila kujtimet e tij do zerohen, harresa do ti marrë me vete, sëmundje që  kryesisht vuajnë të moshuarit,  dhe përshkruhet si njeri i ftohtë racional dhe që e ka përqendruar jetën në 4 shtylla; te matematika, kujtimet, librat, vetmia, e çuditshme zgjedhja dy gjera konkret dhe dy gjëra komplet të huaja, të paprekshme dhe abstrakte, për dikë tjetër mund të ishte e kundërta, F.K është një fëmijë ndryshe, dhe kjo e bënte të lumtur, megjithëse nuk ishte llastuar kurrë dhe vonë kuptoi që e kishin dashuruar, një personazh që  dashuron matematikën, errësirën, ka probleme me vetëbesimin, nuk është ndierë kurrë i dashur në familje, kurrë i rëndësishëm i pranuar në shoqëri, është një personazh kontradiktor te cilit nuk i interson më sesi e përkufizojnë të tjerët por i druhet hipotezave për vetëvrasjen e tij, pohon që është e lodhshme të planifikosh vetëvrasjen dhe se i vjen keq për këtë!

Duhet vënë në pah në këtë novelë përdorimi i ironisë që arrin gjer në grotesk sidomos me ngritjen e hipotezave të vetvrasjes, janë të gjitha të prekshme dhe që mendohen rëndomtë, ndërtimi dhe përdorimi i klisheve dhe thyerja e tyre me ironi po aq sa edhe me keqardhje!

F.K ka një jetë të çuditshme dhe një marrëdhënie të ftohtë me të atin një marrëdhënie të cilin e vret dhe e bën që të lëndohet deri në rrashtë, marrëdhënia e tij me kujtesën është qenësore, ai nuk jeton dot pa të, sepse gjithçka për të është e lidhur me këtë të fundit me kujtesën, ai e sheh vetëvrasjen si mënyrën për të gjetur lirinë, dhe kjo është sa e habitshme aq edhe realiste, se ai ka të drejte nga njeriu nuk shpëton….

F.K është thellësisht një personazh modern, pauses i Mërsosë, Jozef.K-së i cili vetmashtrohet gjithë kohës shpesh edhe padshur, por si një njeri që e ka dashuruar matematikën atij i dalin llogaritë gabim në një pikë, me njerin që kishte 13 vite që e njihte, me sekretaren e tij, sekretarja këtu përfaqëson mitin e të vërtetës, pra ajo di gjithçka për personazhin tonë, madje e formëson dhe forcon më tepër mitin që sekretaret dinë gjithçka për shefat e tyre ndërsa F.K nuk di asgjë për të, as për jetën, as për familjen, as për dëshirat dhe aq më pak që ajo e dashuron që në fakultet… do iu kisha treguar më tepër por blini librin!

Ndodh në këtë novelë ajo që personazhi kryesor del edhe si hero romantik sepse siç thotë rrëfimtari: “F.K është në kërkim të arsyes së ekzistencës! Mungesa e guximit e privon njeriun të gjejë rrugën e jetës”.

Ajo çka është e bukur për tu vënë në pah është elementi i absurdit, i vetmisë, dhe i filxhanit të kafes personazhi ynë porosiste gjithmonë dy kafe njëren e pinte tjetrin e vinte përballë për të mos iu ndierë vetëm! Ndodh në këtë novelë që kujtimet e një dite bëhen kujtimet e një jete, dhe kujtimet e disa çasteve kujtimet e një përjetësie!

Për F.K ka shumë për të shkruar, rrëfyer e analizuar, por do ndalemi në kaq se duam të lëmë në kufijtë e kritikës dhe nuk duam ta çojmë në studim. F.K vuan nga sindroma e Stokholmit sepse telegramet ia ka dërguar njerzëve të cilët i kanë vjedhur kujtimet, e kanë bërë të vuajë, të ndihet inferior dhe i uuryer, dhe kjo na bën të mendojmë që çaste-çaste racionaliteti i matematikës nuk e ka ndihmuar të qëndrojë i ftohtë aq sa duhet, duket shpesh që mund të jetë një njeri mazokist dhe mund ta shijojë vuajtjën…

 

  Personazhi F.K si Flogerta Krypi dhe Khalani si Tirana

Personazhi F.K vjen i gjithi si ideo-autobigrafik sepse autorja quhet Flogerta Krypi, është ç3 vjeçe me një dashuri të pamasë  për matematikën dhe letërsinë, mendimet e saj për Khalanit janë të njëjtat me mendimet e saj për Tiranën! Personazhi dhe autorja ndahen dhe lidhen shpesh gjatë novelës por më së shumti bashkëjetojnë i japin dorë njëri-tjetrit duke krijuar edhe lidhjen e përmendur në libër nënë-fëmijë por shpesh rolet ndërrohen!

Ku na del Khalani si Tirana sepse fare mirë mund të ishte Shqipëria por në novelë citohet Khalani kryqyteti i Masalit pra Tirana kryqyteti i Shqipërisë! Është Tirana sepse është e mallkuar nga zoti me 300 ditë diell në vit, sepse Khalani as nuk kishte një bibliotekë të mirëfilltë, sepse ka lexuaes të paktë, sepse lexuesit e vërtetë përçmohen, sepse është i rrethuar me qytete të fuqishëm por është i banuar nga banorë pa identitet!

Novela e përpunuar , e sjellë në këtë formë, një formë ditari por edhe një formë bible pra brenda 7 ditës të rrëfejmë gjithçka  për planin e vetëvrasjes padyshim është një risi, ka një rrëfim që ecën, ka edhe shprehje klishe por nuk ia dëmtojnë lehtësinë dhe freskinë e rrëfimit, duket se është shkruar për të gjithë, që të gjithë të gjejnë veten në ndpnjë element, se shpesh ne jetojmë por jemi vetëm spektatorë të jëtës tonë dhe shumë vonë kuptojmë që nuk kemi jetuar kurrë!

Të përjetësohesh në një kujtim, qoftë edhe vetëm në një do të thotë se të paktën njëherë e ke provuar shijen e të jetuarit dhe te ndierit i lumtur apo fatkeq…

 

Adrian Zalla

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.