Xheni Shehaj – Gurët me xixa

Ajo kishte qenë fëmijë i prapë. Nga ata çamarrokët që nuk lënë gur bashkë. Hipte nëpër pemë, vraponte në rrugët plot pluhur në verë, mblidhte kërmij dhe i vendoste në një kuti, madje një herë gjeti një breshkëz dhe e pagëzoi me emrin Florentina. Për tri ditë e mbajti Florentinën të fshehur në një kuti. Kutinë e ruante në dhomën ku flinte. Pas tri ditësh kur breshka kish nisur protestat për të fituar lirinë, dikush nga të shtëpisë e zbuloi “sekretin” dhe pa e zgjatur e nxori Florentinën jashtë, ndërsa shtëpiza e saj e njollosur me urinën e breshkës (që gjatë tri ditëve të qëndrimit në “kafaz” do ta ketë parë veten ngushtë) fluturoi në koshin e plehrave. Por episodi i breshkës Florentinë është vetëm një copëz e vogël në mozaikun e aventurave të vajzës. Prapësitë e çapkënllëqet e saj nuk kishin fund. Në një prej ditëve ai fëmijë e kishte ndarë mendjen të gjente gurë që po ti përplasje me njëri – tjetrin lëshonin xixa, por që ajo (sapo mësoi për ekzistencën e tyre) i quajti “gurët me xixa”. Paraditen e së dielës e kaloi me kokën ulur përtokë në kërkim të gurëve xixëllues. Kërkonte pikërisht në vendin ku i kishin thënë se mund ti gjente. Nuk u lodh derisa arriti të gjente dy gurë. Mendoi ti provonte a bënin xixa apo jo por iu kujtuan fjalët e gjyshes, se xixat mund të shiheshin vetëm në errësirë. Nxitoi për në shtëpi. Me të mbërritur u fut në krevat dhe u mbulua kokë e këmbë me batanije. Pasi u zhyt në errësirë nisi të përplaste gurët me njëri – tjetrin. Dhe nuk vonuan të dilnin shkëndijat e para. Ngazëllimi i vajzës nuk mund të imagjinohej. Gugaste, qeshte, lëshonte pasthirrma habie e gazi. Që prej asaj dite ajo çdo natë para se të flinte lëshonte xixa me gurët e saj. Gjumi e zinte çdo natë me një buzëqeshje të stampuar në fytyrën fëminore. Kaluan disa vite e vajza u rrit. Netëve kur binte për të fjetur nuk i trokiste më gurët me njëri – tjetrin. Tashmë i mbante në një kuti llamarine (dikur kuti biskotash e ardhur nga jashtë) si relike të një kohe të bukur, por të shkuar. Edhe sot aty janë. Gurët me xixa bëjnë gjumin letargjik derisa të vijë një tjetër fëmijë për t’i përplasur tok, e për t’u ngazëllyer netëve, para gjumit.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.