Xheni Shehaj – Ndërkohë që unë fle, ti ruaj gjumin tim

Ndërkohë që unë fle, ti ruaj gjumin tim arratisje

Kishte disa ditë që ai e ndjente se vëzhgohej. Nuk kishte ide se nga kush. Thjesht ndjesia se ishte i vëzhguar gjatë gjithë ditë -natës nuk i ndahej. E pastaj! Punë e madhe se e vrojtonin pareshtur. Ai nuk bënte asgjë të jashtëzakonshme. Bënte të njëjtat gjëra që bënin dhe djemtë e tjerë të moshës së tij. As më shumë, as më pak. Në fakt tani që e mendonte mirë nuk ishte dhe aq i sigurtë nëse dhe të tjerët bënin po ato gjëra. Mori një letër dhe nisi të listonte gjërat që bënte ai.

Vendosi që ta niste çdo aktivitet me “unë …”:

1.Unë lexoj gazetat e sportit; (thuajse të gjithë djemtë e bëjnë këtë ndaj nuk do të zgjonte interes për vëzhgim) shtoi më poshtë.

2.Unë flas me vete; (nuk jam shumë i sigurtë në lidhje me këtë, se di a ka shumë të tjerë si unë që e praktikojnë, mbase kjo është një prej shkaqeve pse më vëzhgojnë, duan të dinë se çfarë them).

3.Unë masturbohem; (këtë e bëjnë të gjithë, kam bindjen e plotë, përveç ndonjë të përkori ose trapi që nuk ha pykë; as kjo nuk përbën interes vëzhgimi).

4.Unë shoh ndeshje në TV dhe shpesh herë shaj rëndë; ( të gjithë çunat e bëjnë dhe nuk mendoj se ka ndonjë sharje të veçantë në fjalorin tim që të përbëjë interes vrojtimi).

5.Unë ngacmoj, “gjuaj” komshien sa herë e shoh në ballkon ose në ashensor; (edhe ça pastaj? Ajo është e martuar. Mos vallë i shoqi i saj më vëzhgon?!).

6.Unë tymos hera -herës cigare hashashi; (e kush nuk e ka bërë. Nuk besoj se ka lidhje me të vëzhguarit. Vetëm një i marrë do mund të vëzhgonte një djalë 26 vjeç sepse tymos hashash. Të jetë ndonjë i çmendur?!)

7.Unë dehem 2 -3 herë në muaj dhe veç zoti e di se ça bëj; (pasi më del pija ndjej gjithmonë erë urine nëpër shtëpi. Mesa duket urinoj ku të mundem. A është kaq interesante kjo gjë sa të vëzhgosh 24 në 24 dikë???).

Pasi listoi aktivitetet më të shpeshta ai nisi ti studionte me imtësi për të kuptuar nëse në gjithë ato që bënte kishte diçka që mund ti ndizte dëshirën dikujt për ta vëzhguar. Përveç “gjuajtjes” së fqinjës së martuar dhe të folurit me veten nuk gjeti arsye tjetër që dikush ta kishte nën vëzhgim.

Mbase burri i asaj gruas, fqinjës, mendoi. I ka rënë në të dhe tani po më studion para se të më thyejë kockat. Ose është dikush tjetër, dikush që interesohet për ato çka i them vetes. Por kush?! Dhe pse?! Në fakt ai nuk thoshte gjëra të jashtëzakonshme. Ai fliste me veten vetëm për diçka. Për një ëndërr të tijën, të parealizuar. Improvizonte skena, fliste e vepronte sikur kishte përreth të tjerë. Ëndrra e tij e mbetur pezull i peshonte rëndë. Boshllëku i lënë prej saj ia gërryente shpirtin. E ai e mbushte vendin bosh duke sajuar histori sikur ta kishte realizuar ëndrrën.

Në historitë që sajonte herë ishte vetja, herë transformohej në një tjetër, e kështu me radhë. Shkurt e qartë, ai luante teatër. Ndoshta për dikë aty jashtë, kjo gjë kishte rëndësi. Por për të jo. Ai ishte mirë, ndjehej mirë dhe nuk e vriste mendjen për të tjerët. E grisi listën e aktiviteteve të tija dhe u shtri. Vështroi dhomën rreth e qark dhe iu drejtua atij/asaj që e vëzhgonte:

-Hej, kushdo qofsh aq më bën! Unë jam ky që jam dhe s’dua t’ja di nëse më vëzhgon sot, nesër apo përgjithmonë. Nëse nuk ke një jetë tënden vazhdo të vëzhgosh timen! Unë ndërkohë do të jetoj. E tani do të më falësh por dua të fle. Ndërkohë që unë fle, ti ruaj gjumin tim. Natën e mirë!

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.