Xheni Shehaj – Një makth, asgjë më shumë se një makth

Një makth, asgjë më shumë se një makth

E hënë. Koha ka ndalur. Gjithçka hesht. Dëgjohet vetëm zukama e mizave. Kokën e kam të zbrazur nga kujtimet. Nuk di ku jam. Mpreh shikimin, shoh një qiell mahnitës. Mizat zukasin më fort.

Mpreh dëgjimin, dëgjoj copëza bisedash. Rreth meje nuk është askush. Atëherë kush po flet? Nga vijnë fjalët që dëgjoj? Janë biseda të miat. Biseda që kam bërë me vetveten. Mos jam çmendur?! Të jem çmendur vallë??? Kështu është të jesh i çmendur? Domethënë kështu vjen çmenduria… Zëra. Fjalë.

Mbyll sytë. Me sy mbyllur mundohem të dëgjoj. Po ato zëra. Të njëjtat fjalë. Jam unë. Zëri im. Fjalët e mia. Fjalët që i thoja vetes. Fjalë shpirti. Fjalë inkurajimi. Domethënë unë i kam dhënë zemër vetes. Mirë paskam bërë. Por më vjen çudi që nuk kujtoj asgjë. Ose ngjarja e ndodhur ka qenë aq e parëndësishme sa truri im se ka marrë mundimin ta ruajë, ose ka qenë vërtet aq e madhe sa truri im kërkon ta eliminojë me çdo kusht.

Sidoqoftë, sot duket mirë. Gjendja, natyra, qielli duken mirë. Edhe mizat duken më në formë. Po unë? Unë si jam? Do ngrihem sigurisht. E ripërtërirë. E sapo zgjuar nga një makth që gati e mora për të vërtetë. Por ishte vetëm një makth. Asgjë më shumë se një makth.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.