Xheni Shehaj – Post mortem (ftesë një të vdekuri)

E pranova ftesën e tyre atë pasdite me shi, edhe pse tre minuta më pas u pendova si dreqi. Ishin një grup njerëzish të famshëm e mjaft të fuqishëm që më ftuan njëzet vjet pas vdekjes në një mbrëmje me të ftuar specialë dhe çmime. U dhashë fjalën se do të shkoja në atë mbrëmje. Dhe shkova.

Tani ju e kuptoni dhe vetë se duke qenë i vdekur nuk mund të isha tamam, domethënë i plotë, domethënë me sy, veshë, duar dhe këmbë. Isha i pranishëm si shpirt. Askush nuk më shihte por të gjithë më ndjenin. E ndjenin praninë time dhe çuditërisht drithëroheshin, kur në fakt njëzet vjet më parë isha unë që drithërohesha para tyre. Për atë Zot! Asgjë nuk kuptoja. Ata dridheshin prej meje.

Sa herë më përmendnin emrin cepat e buzëve iu shtrembëroheshin, iu dilnin stërkala pështyme, iu dridheshin duart. Se merrja vesh ç’djall kishin? Unë kam plot njëzet vjet që kam vdekur. Si mund ti trembeshin një të vdekuri?! Edhe kur më telefonuan nga njëri skaj i botës në skajin tjetër u vinte zëri me shkëputje. Mendova se ishte problem lidhjeje telefonike, problem valësh a ku di unë. Por jo, ishte frikë…?! Apo pendesë?! Jo dreqi e marrtë ç’pendesë. Ku pendohen këta? Këta…

Shëëët…. po flet njëri prej tyre. O Zot! Po flasin për mua. Dale, dale. Oh, sa fjalë të bukura! Po ma gudulisin sedrën. Unë paskam qenë talent. Plot origjinalitet, stil. Oh, Perëndi! Po më mjegullohet shpirti. Po ku dreqin ishin këta kur më nevojitej mbështetja e tyre?! Nuk kisha talent, origjinalitet dhe stil para njëzet vitesh?! Uhhh! Në djall shkofshin! Në djall! Më mirë po largohem nga kjo mbrëmje farse.

Po iki. Duhet të qetoj shpirtin tim. Po i le lugetërit në gostinë e tyre. Shpirtin duhet ta qetoj…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.