Xheni Shehaj – Zëri

Ju betohem që s’po flija! Isha zgjuar, ja si tani që po flas me ju. Zgjuar, për atë Zot! Duket e pabesueshme vërtet.
Mbase dhe për faktin që unë nuk di ta përcaktoj qartë se kush ishte dhe çfarë ishte ai që më foli. Në fillim m’u bë si zë, pa figurë. Më thoshte, bëhu me ne. U tremba shumë.

– Kush jeni ju?
E pyeta. Qeshi. Pastaj përveç zërit arrita të shihja një hije gjigande që daravitej mureve të dhomës. Mend më ra të fikët. Zura të dridhem.
Bëhu me ne! Ushtoi sërish zëri. Me ne do të kesh gjithçka. Një punë të mirë, një pagë të majme, shtëpi, makinë, e plot të mira. Ç’të të dojë zemra ty moj e vogël, do t’i kesh! Vetëm se duhet të jesh me ne.
– Kush jeni ju? Unë s’ju njoh, s’di kush jeni, s’ju kam parë a takuar kurrë. Unë…
– S’na ke parë?! Ha ha ha! Po ne jemi kudo moj xhan. Na sheh përditë. Na flet përditë, e ndjen praninë tonë çdo minutë.
Pa mbaruar mirë fjalinë hija gjigande u shndërrua në një gjarpër të gjatë e të neveritshëm. U lebetita. Nisa të brisja me të madhe.

– Heeesht!
Fishkëlloi zëri i gjarprit.
– Duhet të zgjedhësh me kë do jesh. Nga cila anë do të shkosh? Me ne apo aty ku je tani? Nëse vjen me ne të tregova çfarë përfiton. Nëse rri aty ku je do mbetesh vetëm, pa asgjë, pa miq, pa kolegë, pa të mira materiale.
– Po unë kam miq, kam…
– Ha ha ha! Miqtë e tu e kanë zgjedhjen e tyre. Vetëm ti ke mbetur këtu ku je.
– Po çfarë duhet të bëj që të vij me ju?
– Asgjë të madhe. Ti duhet vetëm të na japësh të drejtë. Të na mbështesësh fort. Nëse pranon të vish me ne fillimisht duhet t’i nënshtrohesh një operacioni të vogël, pa dhembje. Thjesht do të të heqim shtyllën kurrizore. S’ke ç’e do atë kur të jesh pjesë e jona.
– Do të më hiqni shtyllën kurrizore?! Çfarë po thua?! Po ku ka njeri pa shtyllë kurrizore?
– Ha ha ha! Si nuk paska moj qenie e mjerë! Bota është e mbushur plot me njerëz të tillë, njerëz pa shtyllë kurrizore. Edhe ata si puna jote që e kanë ende, shumë shpejt do ta dorëzojnë tek ne.
– Jooo! Kurrë! Kurrë përbindësh! Më dëgjon? Edhe sikur bota mbarë të vijë tek ju, unë kurrë nuk ju bashkohem. Unë do të qëndroj mbi këmbët e mia, me zemrën time, me forcën time, me shpirtin tim të paprekur nga murtaja që lëshoni ju. Kurrë s’do të bëhem pjesë e juaja!

Një e qeshur zulmëmadhe kumboi në dhomën time, si një kor njerëzish të egërsuar që të fusnin tmerrin. E lashë veten në duart e Zotit dhe ia thirra emrin me gjithë forcën e shpirtit:
– Zoti im!

Aty humba ndjenjat. Kur u zgjova dhoma ishte pastruar nga hijet, gjarprinjtë dhe helmet e tyre.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.